Rakip Shguni
JETËSHKRIM
Rakip Zhguni ka lindur më 14 tetor 1948 në fshatin Qafë të Shmilit të rrethit të Elbasanit. Shkollën fillore e filloi në fshatin e lindjes, ndërsa atë 7-vjeçar në Lugaxhi, ku u hap për herë të parë shkolla 7-vjeçare në zonë. Arsimin e mesmë e kreu në shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në vitin 1966 me rezultate të larta në mësime, duke marrë diplomën shkëlqyeshëm.
Për arsye ende të panjohura nuk iu dha e drejta për të vazhduar arsimin e lartë. Kështu që më 1 shtator 1966 filloi punën si mësues në fillim në shkollën ku ishte nxënës (Lugaxhi) e më pas edhe në Qarret, tek Tushët, ndërsa një vit më vonë hapi për herë të parë në fshatin Qafë shkollën 7-vjeçare, duke qenë një mësues i vetëm për klasën e pestë me 16 nxënës nga Qafa, por edhe nga Qarreti.
Në dhjetor 1967 mobilizohet ushtar nnë marinë, duke iu prerë shpresat për vazhdimin e shkollës së lartë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak emërohet mësues në Dëshiran në Dumresë e pas katër vjetësh rikthehet mësues në fshatin e tij. Ndërkohë fillon studimet në ILP “A.Xhuvani” (sot universitet) dhe e përfundon më 1979 në dëgën gjuhë e letërsi shqipe. Pas dhjetë vjetësh mësues në fshatin e tij transferohet në Labinot e më pas në Gurin e Zi, duke i mbyllur vitet e punës në shkollën 9-vjeçare Vidhas, ku doli edhe në pension.
Krijimtaria e tij letrare filloi që në bankat e shkollës, por shpërthimi krijues i tij filloi në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Më 1999 botoi librin e tij të parë poetik “Një plagë më shumë”, që do të ndiqet edhe nga 16 libra të tjerë të botuar deri më tani. Midis tyre është edhe libri “Shmili-historik 1”, si nismë e parë për të qëmtuar rreth zonës së Shmilit e duke qenë i pari në këtë lëmë që arrin të botojë libër. Në përgjithësi libri përpiqet të zbulojë, me aq sa dokumente u gjetën për atë periudhë për zonën e Shmilit. Duhet thënë që deri në botimin e këtij vështrimi historik nuk ka patur asnjë shkrim as nga intelektualë vendës, por as edhe të tjerë me përjashtim të ndonjë shkrimi për ngjarjet aktuale të shkruara nga korrespondentë të shtypit lokal e më gjerë.
Në këtë libër bëhen përpjekje për të zbuluar lashtësinë e zonës. Sipas dokumentave të vjela, emri i Shmilit njihet si i tillë që në fillim të shek. I. Më vonë do të ndeshen emërtime të ndryshme të zonës së Çermenikës, por fakti është që Shmili nuk ndryshoi emërtim dhe përfshihej në zonën e Çermenikës. Ndaj dhe historia e tij nuk mund të ndahet nga kjo zonë që përmblidhte 12 fshatra që quheshin vllazën dhe katër kushërinj. Siç shihet, kjo ishte një lidhje fetare- atdhetare, sipas modelit 12 dishepuj të Krishtit, 12 muajt e vitit, 12 orët e ditës, 12 shenjat e horoskopit etj. Veç kësaj zona që në kohën e Skënderbeut, mendohet se ka qenë epiqendra e betejës së Sfetigradit kundër pushtinit osman. Ideja për të shkruar hoistorikun e zonës Rakipit i lindi që herët, por për këtë duheshin bërë zbulime e gërmime, rrëmihje nëpër arkiva.
Në pamundësi për të gërmuar nëpër arkiva për arsye të mosnjohjes së gjuhës së vjetër turke (osmanishte) , me të cilën janë shkruar dokumentat e kohës, si dhe mungesa e fondeve, bënë që disa fakte të mbështeten edhe në traditën gojore të më të moshuarve. Vështrimin kryesor për lashtësinë e Shmilit autori e ka parë në toponomastikën e zonës, si: Gushëmërtin (Guri i Shën Mërtirit), Qafësinkole (Qafa e Shënkollit), Qafëshlliu (Qafa e Shën Ilias), Dopjetër (Dom Pjetër) etj. Po kështu është parë edhe vargu i kishave të zonës, të cilat “shikojnë” njëra-tjetën. Ndaj kërkohet një mobilizim i fuqive intekektuale të zonës për të pasqyruar më hollësisht historinë e Shmilit, e cila është mjaft e pasur, por ende “fle” nëpër arkiva.
Libri është konceptuar sipas kronologjisë së kohës, duke u ndalur në lashtësinë e zonës, në zakonet e traditat shekullore, e folmja, folklori dhe të tjera probleme. Libri përfshin që nga lashtësia deri në shpalljen e Pavarësisë. Është konceptuar që të vazhdohej me pjesën e dytë, ku të përfshihej periudha pas Pavarësisë, si dhe arsimi, shendetësia, periudha e kooperativës, si dhe ngjarjet në periudhën e demokracisë, pa harruar të përmenden edhe figura të shquara të zonës së Shmilit, që kanë dhënë ndihmesën e tyre për përparimin dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të Shmilit.
Kjo pjesë e dytë ka mbetur si dëshirë, por për kushtet aktuale nuk mund të arrihet, pasi kërkohet ndihmesa e të gjithë intelektualëve, që nuk janë të paktë në Shmil, madje edhe duke thelluar disa nga çështjet që sa janë cekur. Kështu duhet bërë punë për mbledhjen e folklorit, të toponimeve etj, pasi koha ikën, të vjetrit ndërrojnë jetë dhe ka rrezik që disa tradita të vyera të shuhen e harrohen. Libri i Rakipit është vetëm një pjesë e punës së nisur e që me siguri do të vazhdohet edhe nga të tjerë dashamirës. Si sprovë e parë, ky libër hap portën për studime të tjera në të ardhmen.